Air Albania drejt qiejve të Europës

Kompania Air Albania do të nisë në vjeshtë  fluturimet drejt destinacioneve europiane.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot tre destinacionet që do të kryejë që nga vjeshta Air Albania si dhe çmimet përkatëse.

Kështu Air Albania do të fluturojë drejt Romës, Milanos dhe Bolonjës.

“Nisin me Italinë në fillimvjeshtë, fluturimet e kompanisë kuqezi drejt qiejve të Europës”, shprehet Rama.

“Hë tani jepini, filloni shani e përqeshni sa të doni, si zakonisht. Po të paktën, futeni mirë në kokë, se kur unë them kjo do bëhet, është vetëm çështje kohe, pune, mundimi e durimi, por fjalën time s’e merr kurrë era”, thekson Rama.

Dhe mos e harroni, shton kryeministri, “se nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë; herë i ngushtë e herë i gjerë, herë i qetë e herë me trazime që të vonojnë; nganjëherë edhe me furtuna e tallaze që të ndryshojnë trajektoren, po jo qëllimin nëse nuk dorëzohesh”.

“Prandaj besim dhe durim miq, se do t’i bëjmë, së bashku, të tëra ato që kemi në dorë t’i bëjmë për Shqipërinë që duam”, nënvizon kreu i qeverisë.