Aksion i Antidrogës në Veri: Kapet rreth gjysmë kilogrami marihuanë, arrestohet një 23-vjeçar

Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në rrugën Mitrovicë-Leposaviq, ka rezultuar me sekuestrimin e rreth gjysmë kilogrami marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës. I dyshuari është kapur në flagrancë nga Policia në orët e mbrëmjes të së hënës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije se i dyshuari është H.S., 23-vjeçar, i cili është ndaluar te Kërshi i Dudës në Veri, ku Policia fillimisht e ndaloi dyshohej se posedonte gjësende të kundërligjshme.

Me rastin e kontrollit policor nuk u gjet asgjë e dyshimtë, por në afërsi të veturës së tij, zyrtarët policorë sekuestruan drogën, që i dyshuari e kishte hedhur, duke tentuar që t’iu shpëtojë prangave të Policisë.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.