Aktgjykimi i Gjykatës Speciale: A u shkel ligji në dënimin e Salih Mustafës?

Sali Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua dje me 26 vite burgim për krime lufte nga ana e Dhomave të Specializuara. Ish-komandant Cali u gjet fajtor në 3 nga 4 pikat për të cilat po akuzohej nga Specialja.

Trupi Gjykues përcaktoi dënim me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar që ishte pika 1 e aktakuzës, pastaj për pikën tre të aktakuzës që ishte torturë, Cali mori 22 vite burgim. Ndërsa ai u dënua me 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

Gjykata Speciale / Kush është Salih Mustafa, i dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte?
Gjykata ka vendosur që dënimi unik për komandant “Calin” të jetë 26 vjet burgim, duke marrë parasyshë edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.

A u shkel ligji?

Ekziston një parim juridik, me të cilin shërbehet drejtësia bashkëkohore, që në terminologjinë juridike njihet si “ligji preferencial për të akuzuarin”. Pra gjykimi me ligjin që është më i favorshëm për të pandehurin, e që është përfshirë edhe në ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Por ka kritika se një parim i tillë nuk u zbatua në aktgjykimin ndaj ish-komandantit Mustafa.

Ehat Miftaraj, Drejtor i Institutit për Drejtësi në Kosovë, ka thënë se ky parim u shkel me aktgjykimin ndaj Calit, i cili u lexua nga Trupi Gjykyues. Madje Miftaraj e quan të frikshëm e të papranueshëm këtë gabim të Gjykatës Speciale.

“Ajo cka më së shumti në këtë fazë mund të lind dyshime lidhet lidhur me lartësinë e dënimit prej 26 vite burgim, në kundërshtim me parimin bazë të zbatimit të ligjit më të favorshëm për të pandehurin, kur në bazë të ligjit të aplikueshëm në Kosovë, i obligueshëm për tu zbatuar edhe nga Gjykata Speciale, dënimi maksimal që mund të shqiptohet për veprat penale krime lufte është 20 vite burgim dhe 40 vite për krime kundër njerëzimit. Në rastin konkret z. Mustafa është dënuar për vepra penale krime lufte, dhe ka tejkaluar lartësinë e dënimit të lejuar me ligj. Në këtë drejtim është e frikshme dhe e papranueshme që kjo gjykatë të bëj gabime të tilla.” ka thënë Miftaraj për Nacionalen.

Një pikë tjetër e cila la pikëpyetje gjatë leximit të aktgjykimit ishte, termi “Ndërmarje e Përbashkët Kriminale” që u përdorë nga Trupi Gjykues, por në dy kontekste të ndryshme.

Në fillim Gjyqtarja tha se i akuzuari do të mbahet përgjegjës vetëm për veprat që është përfshirë individualisht, e se UÇK-ja, nuk do të gjykohej. Megjithatë, më vonë në leximin e aktgjykimit, Trupi Gjykues bëri përgjegjës Salih Mustafën edhe për bashkëpjesëmarrjen e tij në “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.

Kjo sipas Miftarajt duhet të sqarohet kur të publikohet aktgjykimi i plotë, nga Dhomat e Specializuara.

“Duhet të presim nga kjo gjykatë të publikoj aktgjykimin dhe të kuptohet se si kanë ardhur ne përfundim për lartësinë e dënimit por edhe të përfshirja e veprës penale ndërmarrje e përbashkët kriminale.” Ka thënë Miftaraj.

Çka u tha në seancë?

Dhomat e Specializuara kanë mbajtur seancën përfundimtare rreth akuzave ndaj Salil Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë luftës. Në seancën e së premtes, Gjykata Speciale vendosi për akuzat për krime lufte që i ngarkoheshin Mustafës.

“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë, dhe duke marr parasysh të gjitha provat dhe argumentet e palëve mbrojtëse të viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158 dhe 159, 163 dhe 165 të Rregullores, ju shpall juve z. Mustafa, fajtor për:

“Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.

Pikën 4: vrasje e paligjshme si krim lufte, në bazë të nenit 14 1c i të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje.

“Trupi Gjykues ju shpall të pafajshmë për veprën për krimin e luftës të trajtimit çnjerëzor në pikën 2.” – lexoi gjyqtarja e Speciales.

“Pikën 1: Ndalim arbitrar si krim lufte sipas neneve 14 1c dhe 16 1a të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje në aktgjykim.

“Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c dhe i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – u tha tutje.

“Tani do të shqiptoj dënimin. Zoti Mustafa, duke qenë se jeni shpallur fjator për më shumë se 1 vepër penale, Trupi Gjykues ka përcaktuar nga një dënim në vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie në bazë të rregullës 163, 4 të Rregullores. Së pari do të jap këto dënime më vëte, e më pas do të shqiptoj dënimin e njësuar për sjelljen tuaj kriminale në tërësi.

“Jo në emrin tim”

Menjëherë pas përfundimit të aktgjykimit ndaj Calit, në Kosovë nisi një fushatë e madhe në rrjete sociale, me slloganin “Jo në emrin tim”.

Ky reagim i opinionit publik ndaj Gjykatës Speciale “ngacmohet” nga leximi i Aktgjykimit, ku në fillim të tij, gjithmonë niset me shprehjen “Në emër të popullit të Kosovës”.

Në fakt, shprehja “Në emër të popullit” përdoret nëpër Aktgjykimet e Gjykatave të Kosovës, e juridikisht edhe Gjykata Speciale është nën juridiksionin e Kosovës.

Por, vendondhja e kësaj gjykate, si dhe stafi që punon aty janë të huaj, si dhe shumë anomalive që e kanë përcjellur punën e Speciales, kanë bërë që qytetarët në Kosovë, ose një pjesë e tyre, të mos identifikohen me këtë gjykatë.