Albin Kurti në Drenas: 14 shkurtin e dashurisë, ta bëjmë edhe të demokracisë

Ish kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për çështjen më të nxehtë të ditëve të fundit, kandidimin e tij të kontestuar për deputet.

“Për besë nuk i kam përcjellë lajmet, sepse jam duke takuar qytetarët. Besoj që është e drejtë elementare, njerëzore dhe civile që siç i kemi dorëzuar listat edhe të garojmë dhe 14 shkurtin që është festë e dashurisë ta bëjmë edhe të demokracisë.”

Këto deklarime ai i ka bërë në një intervistë për Klan Kosovën në një vizitë në komunën e Drenasit kut ka vizituar bizneset e dëmtuara nga vërshimet e fundit.

“Unë këtu jam në Drenas duke vizituar bizneset e vogla. Këtu e kanë përjetuar me shumë dëme vërshimin e fundit dhe dëgjuam hallet e këtyre bizneseve. Ne duam që t’iu ndihmojmë që ato të rriten – bizneset e vogla të bëhen të mesme dhe të mesmet të bëhen të mëdha. Jam shumë i lumtur nga ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët që pjesëmarrja do të jetë masive në zgjedhjet e 14 shkurtit”.