Albin Kurti shpërfill veteranët e luftës, këta thonë se “kjo është shpërfillje e vlerave të UÇK-së”

Një varg çështjesh të ndryshme janë hapur së fundi, përfshirë ligjin për Pagën Minimale, e ku preken në mënyrë direkte e indirekte edhe veteranët e luftës. Por, për një gjë të tillë as nuk po ftohen e as nuk po pranohen në takim përfaqësuesit e veteranëve nga Ekzekutivi. Nacionalja ka folur për një gjë të tillë me kreun në detyrë të organizatës.

Po bëhet një vit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mori pushtetin pasi fitoi mbi 50% të votave në Kosovë. Që atëherë, Ekzekutivi duket se nuk pati më nevojë për qytetarin, e aq më pak për veteranët e UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, është ankuar para gazetës Nacionale për pamundësinë që ta takojnë kryeministrin e Kosovës përkundër shumë përpjekjeve të tyre.

Qeveria e Kosovës nuk po tregohet transparente, madje as sa për t’i refuzuar duke i lënë krejtësisht pa përgjigje.

“Vetëm në fillim për t’ia uruar detyrën dhe kurrë më s’ka pranuar [takim] edhe pse i ka pasur e-mailat e dërguara nga ne. I kemi dërguar dy kërkesa për takim me e-mail para disa muajve dhe nuk janë përgjigjur kurrë, as ‘po’ as ‘jo’”, është shprehur Klinaku për Nacionalen.

Arsyen pse Kurti s’po do që t’i takojë veteranët, nuk po e di përfaqësuesi i tyre. Atë që Klinaku e di është se shefi i qeverisë po e injoron organizatën e veteranëve të dalë nga lufta e UÇK-së.

“Arsyet më mirë i di ai pse nuk na fton në takime. Nuk ka pritje [që do të takohemi], e-mailat i ka që disa muaj dhe s’kam çka i vazhdoj më kërkesa për takime sepse nuk do që të takohemi, po na injoron”, ka përsëritur Klinaku.

Më miqësore me veteranët janë treguar qeveritë paraprake, për të cilat Klinaku thotë se ka mjaftuar një telefonatë dhe takimi është bërë brenda pak orëve.

“Me qeveritë e kaluara takimet i kemi organizuar përmes telefonit. Takimin e kemi organizuar brenda ditës ose pak ditëve varësisht si i kanë pasur mundësitë. Kemi pasur raste që edhe brenda pak orëve janë organizuar takime”, ka thënë Klinaku.

Gazeta Nacionale gjithashtu ka tentuar ta kontaktojë zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun, por i njëjti – siç ndodh shpesh – nuk ka qenë i qasshëm.

Faton Klinaku e intepreton këtë injorim qeveritar si injorim edhe për “vlerat e luftës së UÇK-së”.

“Jo veç që është jotransparente, por edhe i injoron vlerat e luftës së UÇK-së”, shprehet me protestë ai.

Katër vjet më parë, sa kryeministër ishte Ramush Haradinaj, qeveria e tij ndau 300 mijë euro për t’i dërguar 1 mijë e 500 veteranë të luftës në pushime verore.

Kryetari dhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ka më shumë se një vit që gjenden në paraburgim në Hagë, si të dyshuar në veprën e publikimit të dosjeve të Gjykatës Speciale.

Veteranët së fundi po kërkojnë që në kuadër të rritjes së pagës minimale nga 170 në 250 euro të rritet edhe pensioni për ta. Një gjë të tillë ata e konsiderojnë madje edhe obligim ligjor.