Ambasada e SHBA-së në Kosovë apelon për kujdes, tubimi paqësor i LVV-së mund të bëhet i dhunshëm

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka kërkuar nga personeli qeveritar amerikan dhe nga qytetarët amerikanë që të shmangin sheshet e Prishtinës nga data 10 deri më 17 qershor.

Kjo pasi, sipas paralajmërimit, priten disa zhvillime, si për 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ashtu edhe për tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje më 12 qershor.

Për këtë të fundit, ambasada amerikane paralajmëron se, ndonëse i thirrur si tubim i qetë, i njëjti mund të shndërrohet në tubim të dhunshëm.

“Disa ngjatje janë paralajmëruar nga 10 deri më 17 qershor, 2020. Këto ngjarje përfshijnë, por jo vetëm, përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. VV-ja po organizon një protestë politike (“tubim”) më 12 qershor, në sheshin ‘Skënderbeu’, Prishtinë. Personeli qeveritar amerikan dhe qytetarët amerikanë këshillohet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë të kujdesshëm nëse gjenden në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste apo demonstrate. Edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejt mund të shndërrohen në të dhunshme. Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së COVID-19”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Veprimet që ambasada amerikane këshillon qytetarët e vet t’i ndërmarrin, janë si në vijim:

Shmangni zonën (sheshi Skënderbeu në Prishtinë, më 12 qershor).

Kontrolloni mediat lokale për lajme të reja për protestën e sipërpërmendur si dhe për zgjerimin e saj në qytete tjera.

Shmangni turmat.

Mos bini në sy.

Lajmëroni miqtë dhe familjet për vendndodhjen tuaj.

Jini të kujdesshëm për ambientin tuaj rrethues.

Rishikoni planet tuaja të sigurisë personale.