Ambasadori Dugolli ia dorëzon Erdoganit letrat kredenciale

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli.

Në takimin në Kompleksin Presidencial, ambasadori Dugolli ia ka dorëzuar Erdoganit letrat kredenciale, raporton “Anadolu Agency”.

Dugolli bashkë me bashkëshorten dhe disa punonjës të ambasadës janë fotografuar me presidentin turk.

Ilir Dugolli është emëruar ambasador i Kosovës në Turqi më 21 gusht të këtij viti nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli.

Dugolli më herët ka qenë ambasador i Kosovës në Belgjikë.

Po ashtu, ai ishte akredituar si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Estonisë, atëherë me rezidencë në Mbretërinë e Belgjikës.