Ambasadori gjerman: Certifikimi është i rregulluar me ligj, mos ndërhyni në KQZ

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ka reaguar pas kërcënimeve të Glauk Konjufcës dhe anëtarëve të Vetëvendosjes në drejtim të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve dhe kryetares Valdete Daka.

Rohde ka deklaruar se procedurat në Kosovë janë të rregulluar me ligj dhe përfshijnë në vete mundësinë e ankesës.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që institucionet e pavarura të kenë hapësirë për kryerjen e punës pa ndërhyrje.

“Të gjitha palët duhet t’i respektojnë trajtimin e barabartë dhe rregullat e udhëzimet përkatëse, të cilat garantojnë zgjedhje të drejta dhe transparente. Është me rëndësi që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse të gjyqësorit të kenë mundësi ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”, ka thënë Rohde.

Reagimi i ambasadorit gjerman vjen pas konferencës së sotme të kryetares së KQZ’së, Valdete Daka, e cila ka thënë se kërcënimet ndaj saj dhe KQZ’së janë të paprecedentë dhe të rrezikshme, tutje ajo tha se familja e saj ndjehet e shqetësuar nga këto kërcënime.