Amerika ia tregon vendin grupit ushtarak të Putinit, Wagner

Administrata Biden zbuloi të mërkurën kufizime të reja në eksportet e teknologjisë për grupin ushtarak rus “Wagner”, në një përpjekje për të pakësuar më tej furnizimet për kontraktorin për rolin e tij në pushtimin rus të Ukrainës.

Grupi “Wagner”, i cili u shtua në listën e zezë tregtare në vitin 2017 pasi Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës, tani do të etiketohet si përdorues i fundit ushtarak dhe do të përballet me kufizime të reja të ashpra për qasjen në teknologjinë e prodhuar kudo në botë me pajisje amerikane, raporton Reuters.

“Grupi ‘Wagner’ është një nga organizatat mercenare më famëkeqe në botë dhe po kryen në mënyrë aktive mizori dhe abuzime të të drejtave të njeriut në të gjithë Ukrainën”, tha nënsekretari i Tregtisë për Industrinë dhe Sigurinë, Alan Estevez. “Sot ne po u dërgojmë një mesazh të qartë aktorëve joshtetërorë që kërkojnë të marrin stafetën e brutalitetit nga ushtria e lëkundur e Putinit se Departamenti i Tregtisë nuk do të hezitojë të veprojë kundër tyre”.

Ky veprim, i raportuar fillimisht nga “Reuters”, është një shfaqje mbështetjeje për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë të mërkurën dhe mori garanci të reja për mbështetjen e SHBA-së në mes të sulmit të vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Kievin me dërgesa armësh në vlerë miliarda dollarë dhe sanksione të ashpra ndaj Rusisë që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt, në atë që e përshkruan si një operacion special.

Grupi “Wagner”, një kontraktor privat ushtarak me lidhje të ngushta me Kremlinin, u themelua në vitin 2014 pasi Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe shkaktoi një kryengritje separatiste në rajonin lindor të Ukrainës Donbas.

Forcat e saj dihet se po luftojnë në pjesë të Ukrainës, përfshirë gjatë një beteje brutale, të gjatë për qytetin e vogël të Bakhmutit.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së gjithashtu sanksionoi “Wagner”-in në nëntor për operimin në sektorin e mbrojtjes të ekonomisë ruse dhe akuzoi grupin se kërkon të blejë dronë iranianë, me gjasë për të mbështetur operacionet e tij në Ukrainë.