Këto komuna do t’i fitojë “Vetëvendosje” sipas Sveçlës

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ish deputet i kësaj partie, Xhelal Sveçla ka thënë se Vetëvendosje do të fitojë 30 për qind të votave në zgjedhje.

Sveçla, në RTV Dukagjini ka dhënë parashikimet e tij se në cilat komuna, Vetëvendosje do të dalë e para me vota në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Ai ka thënë se është e qartë se në Prizren situata ka lëvizur në favor të Vetëvendosjes që nga zgjedhjet paraprake.

“Vetëvendosje fiton në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Gjakovë, Gjilan. Edhe në Kamenicë do të fitojmë”, ka thënë Sveçla.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se në Istog është një situatë shumë e çuditshme pasi nga 39 mijë banorë, 12 mijë kanë kërkuar largim nga ky vend.

“Pyetja është se cilët janë votuesit e Vetëvendosjes? Sigurisht se ata të pakënaqurit”.

Ai ka thënë se Vetëvendosje sigurisht se do të fitojë edhe në Kaçanik dhe Han të Elezit.

Duke folur për votat e përgjithshme që do të fitojë Vetëvendosje, Sveçla ka thënë se partia e tyre do ta arrijë të fitojë 30 për qind të votave.