Analistët: Gjykata Kushtetuese po përballet me presion direkt, kjo duhet të ndalet

Presioni politik ndaj Gjykatës Kushtetuese po shihet si i papranueshëm dhe që përmes tij ka tendencë që të ndikohet tek vendimi që kjo gjykatë do të marrë për çështjen e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Gjykata Kushtetuese dënoi diskursin publik të krerëve të shtetit, ku në një reagim për media, Kushtetuesja ka përmendur presidentin dhe kryeministrin në detyrë për paragjykim në vendimmarrjen e saj duke shtuar se nuk iu nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve.

“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thuhej në reagim.

Kushtetuesja kishte dënuar edhe përfoljen e gjyqtarëve individual, pasi që sipas tyre gjykata vepron si tërësi. E njëjta siguronte publikun se nuk do t’i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla.

E deklarimet e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, shoqëria civile po i sheh si presion, e të njëjtat i quan të papranueshme.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se krerët e institucioneve të Kosovës janë duke e zhvilluar një diskurs të papranueshëm, që sipas tij përbënë presion dhe kërcënim në raport me Gjykatën Kushtetuese.

Ai u shpreh se politikanët duhet të deklarohen publikisht se e respektojnë çdo vendim që vjen nga Gjykata Kushtetuese

“Kjo është në tërësi e papranueshme dhe bie ndesh me krejt parimet e sundimit të ligjit dhe në këtë rast kjo nuk është një praktikë e re. Kemi pasur presione edhe kërcënime të ngjashme edhe në vitin 2014 edhe në vitin 2017 dhe kjo duhet të ndalet, sepse Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, i cili është i vetmi institucion që e siguron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend. Prandaj, krejt këto forma të presionit dhe kërcënimeve duhet të ndalen dhe duhet të dënohen. Politikanët janë ata që duhet të deklarohen publikisht se do të respektojnë secilin vendim që vjen nga Gjykata Kushtetuese dhe të kundërtën nuk duhet të veprojnë siç kanë vepruar, sepse kjo po dëshmon që elita jonë politike është tërësisht e papjekur”, tha ai.

Përmendja me emër e gjyqtarit raportues të çështjes së dekretit të presidentit nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, sipas Musliut është presion i drejtpërdrejtë dhe mund të krijojë edhe kërcënime serioze për gjyqtarin e përmendur.

Sipas tij, presioni ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ndalet sepse përbënë rrezik të madh.

“Është në tërësi veprim i pamenduar, është veprim i cili përbënë presion të drejtpërdrejtë dhe mund të krijojë edhe kërcënim serioz për vet emrin e përmendur. Kjo është një praktikë e pashembullt dhe politikanët janë ata që do të duhej të ishin në një farë forme udhërrëfyes për të gjithë qytetarët sesi duhet të respektuar institucionet dhe jo të ndodh e kundërta. Vërtetë është duke ndodhur një çoroditje e thellë duke parë këtë veprim të politikës në Kosovë në drejtim të Gjykatës Kushtetuese. Imagjinojeni ata janë gjyqtarë dhe duhet të kenë integritet për të vendosur çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën institucionale në vend. Nëse këta gjyqtarë këta që janë njerëz kërcënohen në këso forma atëherë si mund të pritet vendimmarrja e tyre. Prandaj, presioni, kërcënimi ndaj tyre duhet të largohet, duhet të ndalet dhe duhet të dënohet në të gjitha format e mundshme, sepse përbënë rrezik të madh”, tha Musliu.

Aludimet rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e krerëve të institucioneve të vendit, sipas Musliut e dëmton rëndë reputacionin e kësaj gjykate dhe e dëmton besimin e qytetarëve në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe Florent Spahija nga KDI, thotë se Gjykata Kushtetuese po përballet me mesazhe të tërthorta në vazhdimësi nga krerët institucionalë të cilat duhet të

“Gjykata Kushtetuese e ka treguar një të vërtetë e cila po ndodh vazhdimisht prej të dy palëve, do të thotë edhe prej subjekteve politike, po edhe prej njerëzve të cilët udhëheqin institucionet tona. Ka pasur shumë mesazhe të tërthorta tek Gjykata Kushtetuese në të mirë të çështjes së tyre. Unë konsideroj se Gjykata Kushtetuese duhet të mbetet dhe të merret vetëm me Kushtetutën, pra të merret vetëm me çështjen që e ka dhe të mos i dëgjojë palët fare dhe të mos i pranojë si presione të tilla ose t’iu mbajë anën njërës ose tjetrës, por t’i mbajë anë vetëm ligjit”, tha ai.

Sipas tij, çdo deklaratë dhe postim në rrjetet sociale në këtë kohë mund të merret si mundësi ndikimi tek ata.

“Çdo deklaratë tashmë mund të konsiderohet si e tillë, po në një shtet normal në demokraci të avancuara palët nuk është se flasin për vendimet e Kushtetutës, po me qenë demokraci e re dhe fragjile kisha me thënë që çdo postim ose çdo mesazh që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese mund të merret si mundësi ndikimi tek ata”, tha ai.

Pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, presidenti i vendit ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të ri të Kosovës. Pas ankesës së LVV-së Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar dekretin deri më 29 maj.