Andin Hoti: Po vazhdojnë gërmimet në 3 lokacione për gjetjen e mbetjeve mortore

Çështja e të pagjeturve tash e 23 vjet ka mbetur barrë e madhe e pazgjidhur për institucionet e Kosovës.

Fati i më shumë se 1 mijë e 600 personave në Kosovë ende nuk dihet, edhe pse lufta ka përfunduar në vitin 1999.

Familjarët dhe institucionet e Kosovës kërkojnë të zbulohet fatin e të pagjeturve.

“Çështja e personave të zhdukur duhet të jetë njëra nga temat kryesore në marrëveshjen finale.

Kështu po deklaron për Front Online kryetari i delegacionit të Kosovës për personat e pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti.

Hoti ka deklaruar se këtë ia ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Çështja e personave të zhdukur patjetër që duhet të jetë njëra nga temat kryesore në kuadër të marrëveshjes finale(cila do qoftë ajo), mirëpo në ende jemi në bisedime për deklaratën e përbashkët mes dy shteteve e cila nuk është dakorduar ende. Kryeministri Kurti e ka theksuar disa herë edhe në media që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet pa u zgjidhur çështja e personave të zhdukur dhe pa u trajtuar krimet e luftës”, u shpreh Hoti.

Andin Hoti: Serbia nuk po jep informacione për të pagjeturit, po e politizon këtë çështje

Hoti thotë se punimet për të pagjeturit po vazhdojnë në 3 lokacione të ndryshme.

Ai u shpreh se kanë kërkuar të kthehen në një lokacion të shtetit serb për gërmime.

“Brenda territorit të Kosovës jemi në pritje të disa urdhëresave dhe të njëjtën kohë po vazhdojnë punimet në 3 lokacione të tjera. Në Serbi kemi kërkuar të kthehemi në lokacionin Shtavalj”, theksoi Hoti.

Hoti tha se politizimi i Serbisë në çështjen e të pagjeturve ende po vazhdon.

Andin Hoti theksoi se është shumë e vështirë të identifikohen personat e zhdukur ngase shteti serb nuk pranon të ofroj informacione.

“Nuk mendoj që mund të matet puna e asnjë qeverie në këtë çështje duke pasur parasysh që çështja e personave të zhdukur është një plagë e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe fatkeqësisht politizimi i saj nga ana e Serbisë po vazhdon ende sot. Përderisa Serbia nuk pranon të ofroj informacione të sakta të cilat ajo po i mban të klasifikuara përmes arkivave shtetërore, fatkeqësisht ne do të kemi vështirësi të mëdha në identifikimin e personave të zhdukur dhe lokacioneve të mundshme”, deklaroi Hoti.

Bajram Qerkini: Lëvizja Vetëvendosje ka stagnuar procesin e personave të pagjetur

Moszbardhja e fatit të të pagjeturve dhe të zhdukurve vazhdon të jetë një ndër plagët më të mëdha edhe për udhëheqësin e Zyrës Burimore, për personat e pagjetur në rajonin e Mitrovicës, Bajram Qerkini.

Qerkini tha për Front Online se që 15 muaj është bllokuar procesi i të pagjeturve.

“Kur flitet një marrëveshje përfundimtare për të pagjeturit nuk kemi informata se çfarë do të flitet aty, që 15 muaj është bllokuar procesi dhe nuk është folur për ta. Ne familjarët dhe shoqata jonë jemi në një mjegull të dendur, asnjë informatë nuk e kemi”, theksoi Qerkini.

Qerkini fajet për të pagjeturit i ka hedhur tek Qeveria Kurti.

Sipas tij, nga marrja e mandatit të LVV-së, ka stagnuar procesi i personave të pagjetur.

“LVV-ja prej që e ka marr mandatin ka thënë që në Bruksel do të kemi çështjen e personave të pa gjetur numër 1 dhe asnjë hap nuk e ka bërë, LVV-ja e ka stagnuar procesin e personave të pagjetur”, thotë Qerkini për Front Online.

Bajram Qerkini deklaroi se nuk kanë dijeni se kur do të vazhdojnë gërmimet e reja.

“Lokacione ka se janë dëshmuar që ka dhe nuk janë gërmuar i kanë bërë disa ndryshime por aty ku duhet nuk kanë dhënë rezultate, kur do të ketë gërmime tash apo kur nuk jemi të informuar dhe nuk e dimë se çfarë po përgatitet për këtë çështje. Komisioni qeveritar për të pagjeturit, grupi dialogues të gjithë këta na hynë në hak neve familjareve dhe na lënë neve në huti dhe manipulimet e ndryshme që nuk e dimë se çfarë programi ka në të ardhmen komisioni qeveritar”, u shpreh Qerkini.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan 6 mijë e 500 persona të zhdukur.

Shumica prej tyre u gjetën, si rezultat i zhvarrimeve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.