Anulohet mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë/ E planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë

Mbledhja qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë, është anuluar.

Zyra e Kryeministrisë ka lajmëruar se kryeministri Edi Rama do të mbajë në orën 19:30 një konferencë për shtyp, ndërsa nuk dihet nëse ka lidhje me këtë vendim.

Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.

Kreu i qeverisë shqiptare i dërgoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë.

Në lidhje me këtë, Kurti tha se Rama duhet t’ia dorëzojë propozimin e tij presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në takimin e Ballkanit të Hapur.

“Nuk kam dyshim që Rama që beson se propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt që unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë propozim t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc. Pra, pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është model i mirë, pra do të duhej t’ia bënte si propozim Vuçiçit për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama që modeli i tij është i mirë, në vend se të propozohet për serbët në Kosovë, t’ia propozojë Beogradit në Serbi”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Kurti u propozoi ndërkombëtarëve një plan prej pesë pikash për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

Ai njoftoi se ka propozuar sundim të ligjit në veri e largim të grupeve kriminale, zgjedhje të reja, monitorim të situatës e intensifikim të dialogut mes dy vendeve.

Top Channel