Apostolova i uron mirëseardhje Borrellit: Hera e parë është gjithmonë e veçantë

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, i ka uruar mirëseardhje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell Fontelles i cili sot do të vizitojë Kosovën.

“Mirë se vjen në Kosovë. Hera e parë është gjithmonë e veçantë”, ka shkruar ajo në Twitter duke e ripostuar ‘cicërimën’ e Borrell ku e kishte paralajmëruar ardhjen në vendin tonë.

Në postimin e Borrell thuhet se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë mandatit të tij, transmeton Klan Kosova.

“Jam fuqishëm i përkushtuar që ta rinis dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian, prandaj mezi po pres që ta vizitoj Kosovën dhe Serbinë si vendet e para në rajon, këtë javë”, kishte shkruar Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri gjatë ditës së sotme do të takohet me presidentin e vendit Hashim Thaçin, si dhe me përfaqësues të partive politike.