Arben Vitia kthen në punë Naim Bardiqin, largon ish-sekretarin që e kishte emëruar Armend Zemaj

Pasi Arben Vitia ka marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, ka kthyer në punë ish-sekretarin e kësaj ministrie, Naim Bardiqin.

Burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se Vitia e ka shfuqizuar vendimin e Zemajt, ku ka emëruar si u.d të sekretarit Ardian Mehmetaj.

Naim Bardiqi, do të kthehet në pozitën që kishte gjatë kohës sa Vitia ishte Ministër i Shëndetësisë.

Arsyetimi i këtij vendimi në letrën të cilën e ka siguruar Gazeta Express thuhet se arsyeja pse është pezulluar Bardiqi ka qenë përfundimi i procedurës disiplinore të iniciuar ndaj tij.

Ndërsa thuhet se deri sot nuk është inicuar, nuk është zhvilluar dhe nuk ka përfunduar procedura disiplinore ndaj të suspenduarit, pra Bardiqit.

Sipas ministrit Zemaj, sekretari Bardiqi ishte përgjegjës për monitorim jo të duhur të proceseve të brendshme në Ministri duke e arsyetuar vendimin e tij se në MSH ka pasur monitorim të dobët të procesit të prokurimit, dështim në sigurimin e zbatimit të ligjit, proceseve të parregullta të avancimeve e gradimeve brenda këtij institucioni.