Armend Muja edhe zyrtarisht kalon në Vetëvendosje

Analisti politik, Armend Muja, ka zyrtarizuar aderimin në Lëvizjen Vetëvendosje (VV).

Këtë njoftim e ka bërë të ditur kryetari i LVV’ë, Albin Kurti përmes një statusi në Facebook.

Kurti i ka uruar mirëseardhje Mujës, teksa ka publikuar një biografi të rrugëtimit të tij.

Kujtojmë që Muja thuajse çdo paraqitje publike ka mbrojtur VV’në dhe liderin Albin Kurti, duke dhënë deklarata thumbuese për kundërshtarët e tij.

Ky është statusi i plotë i Albin Kurtit:

Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme. Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje.