Arrest shtëpiak për punëtoren shëndetësore që mori ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës F.C për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurës F.C i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, raporton Klan Kosova.

Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura F.C duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke kërkuar dhe pranuar para nga e dëmtuara M.G për përshpejtimin e rregullimit të disa dokumenteve mjekësore për të dëmtuarën.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.