Arrestimi i Mujecit, policia në Shqipëri po e kërkon vendin ku prodhohej droga

Gazetarja e Klan News, Liridona Daci, e cila e ka përcjellur operacionin e Policisë së Shqipërisë, ka dhënë detaje nga aksioni ku u arrestuan 5 persona nën dyshimin për trafikim me drogë.

Daci tha se procedimi penal ka nisur që nga janari i këtij viti, pasi sipas saj, në qatë kohë janë arrestuar tre persona të tjerë nga Tirana që merreshin me shpërndarjen e drogave të lehta, kryesisht ekstazi.

“Policia shqiptare nuk e ndaloi hapin vetëm në atë moment, por e shpalli një person në kërkim për të cilin kishte dyshime se ishte personi që bënte organizimin e të gjithë grupit”.

“Në bazë të përgjimeve sepse policia shqiptare ka vepruar me përgjime, me vëzhgime në terren e agjentë të infiltruar ka arritur të zbulojë se lënda narkotike e llojit ekstazi, sillej nga Kosova në drejtim të Shqipërisë dhe për këtë arsye hetimet nuk do të përqëndrohen vetëm në Tiranë, por do të shtrihen edhe në Kosovë”, tha Daci në Klan Kosova.

Tutje, ajo tha se autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës për të gjetur vendin se ku prodhohet lënda narkotike, si sillet në territorin e Kosovës e më pas si transportohet për në Shqipëri.

“Padyshim që në disa raste kur ka ardhur lënda nga Kosova në Shqipëri, është lejuar vetë që të kalonte në pikëkalimin kufitar, për të parë se kush janë personat që do t’i tërhiqnin pakot me lëndë narkotike, si dhe ku do të shpërndahej”.

“Kryesisht, sipas policisë shqiptare, lënda narkotike në momentet e para ka kaluar kryesisht gjatë fundjavave, pasi fluksi i qytetarëve të Kosovës për të shkuar në bregdet është më i madh dhe mundësia për t’i kontrolluar është relativisht e vogël”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë Policia e Shqipërisë, pas këtij aksioni e ka arrestuar edhe asamblistin e VV-së në Prishtinë, Besnik Mujeci, të cilin më pas e përjashtoi nga partia.