Arrestimi i të dyshuarve për krime lufte, Arsenijeviç thërret protestë në Veri

Kryetari i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa Serbe” nga Mitrovica e Veriut, Aleksandër Arsenijeviç, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, që këtë të mërkure në orën 17:00, të jenë para stacionit policor për të protestuar, kjo pas arrestimit të dy serbëve nga Policia e Kosovës të cilët dyshohen për veprën penale, “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.

Arsenijeviç pretendon se në media – pa i specifikuar cilat – ka spekulime se do të ndodhin edhe dy arrestime të tjera dhe se policia vendase “nuk ka dijeni se cilët shtetas po arrestohen”, gjë që, sipas tij, është “rrëmbim i qytetarëve”.

“Për shkak të frikës se secili prej nesh mund të arrestohet dhe se mund të jem unë i radhës, sot në ora 17:00 do të shkoj në stacionin rajonal të Mitrovicës së Veriut dhe do të kërkoj të më arrestojnë, vetëm që të mos jetojmë me këtë frikë. Ftoj qytetarët të më bashkohen sepse kjo nuk është më jetë”, tha ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës, pas arrestimit të tre personave të nacionalitetit serb në Veri të Kosovës, ka thënë se janë arrestuar për veprën penale, “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.

“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ”.

“Aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët të 4 Konventave të Gjenevës të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në komunikatë.

Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.