Arrestohen 6 persona në Lipjan, dyshohen për vjedhje në vlerë 150 mijë euro

Lipjan-Gjashtë persona janë arrestuar të hënën në Lipjan nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vjedhje të rëndë.

Sipas një njoftimi për media nga Policia, personat e arrestuar dyshohet se një ditë më parë kanë kryer një vjedhje e cila konsiderohet të kapë vlerën e 150 mijë eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Rasti ka ndodhë në Janjevë, saktësisht në një objekt (punëtori), ku të vjedhura janë raportuar gjësende që arrijnë vlerën rreth 150000 euro: pjesë të makinave për përpunimin e plastikës, mjete të ndryshme të punës, 10 kallëp të metalit për përpunimin e plastikës, 8 ngrohëse që shërbejnë për shkrirjen e plastikës, 5 pompa të ujit, 1 trafo e rrymës/furnizues për makinën e shkrirjes së plastikës të cilat janë gjetë dhe sekuestruar nga ana e policisë”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se, tre nga personat e arrestuar, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, janë dërguar në mbajtje, ndësa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetuesit me vendim të prokurorit, ia kanë dorëzuar gjësendet e sekuestruara, pronarit legjitim./BetimipërDrejtësi