Arrestohet në Mal të Zi biznesmeni shqiptar me dy emra, anëtar i një organizate kriminale

Policia e Malit të Zi ka arrestuar 55-vjeçarin shqiptar Anton Gjinaj, i cili ishte shpallur në kërkim me urdhër të Interpol Madrid.

Mediet malazeze raportojnë se Gjinaj është arrestuar në vendkalimin kufitar Rozaje.

“Bazuar në njohuritë operacionale, dhe më vonë në verifikimin dhe konfirmimin e identitetit, u përcaktua se ky person kërkohej me një identitet tjetër nga NCB Interpol Madrid, për të vuajtur një dënim me burg prej tetë vjet e nëntë muaj për krimin e trafikut të drogës. Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importin, magazinimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në Spanjë, në zonat përreth qyteteve Murcia dhe Alicante”, ka deklaruar policia malazeze.

Pashk Rrapi, allias Gjinaj nëpërmjet kompanisë së tij ‘Alessio-2014’ ka një prezencë të madhe në ndërtimet private dhe publike në Shqipëri.

/BalkanWeb