Haxhiu për rastin Dehari: Do ta ripërsëris atë që e kam thënë, le të më ftojnë sërish

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur pas intervistimit të saj nga Prokuroria Speciale për rastin Dehari.

Ajo e ka kritikuar prokurorinë që ka vepruar vetëm minimalisht për të ndjekur gjurmët në rastin në fjalë.

“Veprimet e prokurorisë kanë qenë minimale ndonëse mundësitë për të ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe ekzistojnë ende”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.

“Prokurori Shefkiu përveç se nuk e ka adresuar siç duhet këtë rast për më shumë se pesë vjet, me arrogancë po u përgjigjet të gjitha atyre që duan drejtësinë për Astrit Dehari”.

Haxhiu ka thënë që ajo do ta ripërsërisë atë që e ka thënë dhe është e gatshme të ftohet sërish nga prokuroria, mirëpo kërkoi nga prokurori që nëse nuk mundet ta trajtojë rastin si duhet, atëherë le t’ia kalojë rastin dikujt tjetër që sipas saj e do drejtësinë për Deharin, njofton klankosova.

“Prokurori Shefkiu asnjëherë nuk e ka marrë mundin që t’u përgjigjet thirrjeve të avokatit të familjes për të informuar më shumë familjen e Astritit lidhur me punën dhe hetimet që po bëhen, me arrogancë reagoi edhe ndaj deklaratës sime të cilës i qëndroj dhe e ripërsëris sa herë të jetë nevoja”

“Le të më ftojë sërish për të dëshmuar. Do t’i përgjigjem njësoj sa herë të jetë nevoja”.

“Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri, dhe prokurori i rastit duhet t’i kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përpiktë, dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur të realizohet, atëherë të mos bëhet personi që e pengon drejtësinë”.

“Le të kalojë kjo lëndë në duart e prokurorëve që e duan drejtësinë, edhe në Kosovë, por edhe drejtësinë për rastin Dehari”.