Arrestohet politikani serb Sandulloviq, një ditë pasi tregoi se ka vizituar Prekazin dhe kërkuar falje për krimet e Serbisë

Politikani opozitar serb, Nikolla Sandulloviq është arrestuar nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, thotë se ky arrestim ndodh “vetëm një ditë pas postimit të tij ku ai ku shpreh ngushëllimet e tij për shqiptarët e Kosovës për vrasjen e 50 anëtarëve të familjes Jashari në vitin 1998 dhe vetëm 1 minutë pasi media e regjimit filloi një fushatë të orkestruar urrejtjeje kundër tij për atë postim”.

Stojkoviq ka shkruar se Sandulloviq është dërguar sot në një vend të panjohur. Sipas tij, si policia ashtu edhe BIA nuk kanë pranuar t’i tregojnë gruas së Nikollës se ku ndodhet dhe familja e tij e cila tani po kalon në agoni për këtë.

“Një tregues i qartë i politikës së Aleksandër Vuçiqit ndaj Kosovës dhe një tregues i qartë i synimeve të tij në Kosovë: Kushdo nga Serbia që bashkëpunon me Kosovën ose ballafaqohet me të kaluarën, do të jetë në shënjestër të autoriteteve, mediave dhe gjithçkaje që shkon me të”, ka shkruar avokati, transmeton Fokusi.info.