Greqia kërkon 12 miljet e detit me Shqipërinë

Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit për Paktin Detar mes Turqisë dhe Libisë ka vënë në alarm Greqinë.

Ish-ministrja e Jashtme greke e cila nënshkroi Marrëveshjen e Detit ne vitin 2009 me homologun e saj shqiptare të asaj kohe, Lulzim Basha, kritikon politiken vendit te saj për dobësi.

Dora Bakojanis kërkon që Marrëveshja e Detit mes Tiranës dhe Athinës të përfundohet sa më shpejt, pasi sipas saj koha nuk pret, raporton Vizion Plus.

Dora Bakojanis, ish-ministre e Jashtme e Greqisë:

Greqia mund të ushtrojë të drejtën e saj për të zgjatur zonën e saj bregdetare në 12 milje. Dhe këto nuk janë mesazhe për askënd qe te krijoje mendime te tjera për të drejtat tona diku tjetër. Mendoj se me Shqipërinë mund të jepet një mesazh i qartë, politika jonë tregon dobësi në këto momente. Duhet të bëhen veprime konkrete, 12 milje me Shqipërinë, 12 milje tani. Koha nuk është në avantazhin tone.

Ish ministrja e Jashtme këmbëngul se mbyllja e çështjeve të mbetura pezull mes Greqisë dhe Shqipërisë do të forcojë pozitat e vendit të saj në Mesdhe.

Greqia duhet të shfrytëzojë mundësitë që paraqiten aktualisht dhe të përpiqet të përfundojë marrëveshjet e demarkacionit të zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, Egjiptin dhe Italinë. Nuk mund të përparojmë në këto momente as në marrëveshjen përfundimtare detare me Egjiptin. Pas zhvillimeve të vitit 2009 dhe tërheqjes së Tiranës, me anulimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të Zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, vrimat e zeza të demarkacionit duhet të jenë të mbyllura në perëndim dhe jug.

Bakojanis e konsideron veton e Francës për negociatat me Shqipërinë një shans për diplomacinë greke për të arritur qëllimet e saj, shton me tej Vizion Plus ne raportimin e vet.

Vendimi i Francës për të bllokuar perspektivën e pranimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë për momentin i jep Greqisë një mundësi shtesë për marrëdhëniet e saj me Shqipërinë.

Sipas deputetes greke Greqia duhet të përshtatet në situatën e re dhe ti referohet precedentëve të mëparshëm për përcaktimin e kufijve detarë.