Arrihet marrëveshja mes klubeve, Milot Rashica do të jetë transferimi i katërt më i shtrenjtë në historinë e Bundesligës

Milot Rashica do të largohet nga Werder Bremen, por do të mbetet në Bundesliga.

E ardhmja e anësorit kosovar është në RB Leipzig, skuadër e cila duket se ka arritur marrëveshje me Werderin për transferimin e tij.

“Weser-Kurier” shkruan se nga burime brenda grupit ka mësuar se është arritur marrëveshja mes dy klubeve. Leipzig ka vendosur të hapë thesin për yllin e Kosovës, duke paguar edhe më shumë se klauzola e tij.

Werder i kishte vendosur klauzolë Rashicës prej 38 milionë eurosh, por kjo vlente vetëm për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë.

Dy klubet kanë arritur marrëveshje për transferimin e Rashicës në Leipzig për 40 milionë euro, ku bardhekuqtë besohet se kanë paguar dy milionë euro më shumë se klauzola e lojtarit.

Me zyrtarizimin e këtij transferimi, Rashica do të futet në histori të Werderit si lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit që është shitur.

23-vjeçari do të bëhet edhe futbollisti i katërt më i shtrenjtë në histori të Bundesligës, pasi më parë vetëm Lucas Hernandez (80 mln), Julian Draxler (43 mln), Correntin Tolisso (41,5 mln) janë blerë më shtrenjtë se Rashica nga klubet gjermane.