Arrihet marrëveshja: Neymar pranon kontratën e Barcelonës

Neymar ka gjetur marrëveshjen me Barcelonën, për rikthimin e tij në “Camp Nou”.

Më saktë ka qenë një ofertë e panegociuar nga braziliani, i cili ka pranuar çdo kushte të klubit për t’u rikthyer, edhe duke parë shpenzimin e lartë që katalanasit do të bëjnë për të riblerë kartonin e tij nga PSG, që ende nuk është përcaktuar në çfarë shifrash do të jetë.

Ka qenë gazeta spanjolle “Sport”, që ka bërë me dije se Neymar ka pranuar të ulë pagën e tij. Aktualisht merr rreth 37 milionë euro tek PSG, mbi 3 milionë euro në muaj. Ndërsa tel Barcelona do përfitojë 24 milionë euro në sezon me kontratën e re.

Këtë kusht e ka pranuar braziliani, i cili do të tërhiqet edhe nga gjyqi për 26 milionë eurot, që Barça i ka mbajtur nga largimi i tij drejt PSG-së dy vite më parë.

Neymar do të firmosë kontratë 5-vjeçare me Barcelonën dhe do të mbajë veshur fanellën “Blaugrana” nga mosha 27 vjeçare, e deri kur të jetë 32 vjeç.

Nuk dihet nëse braziliani do të plotësojë kushtin e tretë, që Barcelona i ka vendosur, që ka të bëjë me një ndjesë publike për atë largim të beftë të tij para dy sezonesh.