Arsenali kërkon 30 milionë euro për Mustafin

Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi pritet të largohet nga Arsenali gjatë këtyre ditëve dhe ekipi londinez për lirimin e tij po kërkon 30 milionë euro.

Kështu kanë njoftuar mediumet angleze të martën. Sipas tyre, Arsenali është në negociata me Monacon që ka shprehur interesim për shërbimet e mbrojtësit shqiptar.

Mustafi nuk ka bindur me paraqitje edicionin e shkuar dhe nuk bën pjesë në planet e trajnerit Unai Emery, raporton “Koha Ditore”. Edhe në ndeshjet përgatitore të kësaj vere, Mustafi është vërshëllyer nga tifozët e Arsenalit që nuk e duan në ekip. 27-vjeçari ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2021.

Te kjo skuadër u transferua para tre vjetësh nga Valencia për 41 milionë euro. Karrierë ka bërë edhe te Sampdoria. Edicionin e shkuar, Mustafi pati 40 paraqitje në të gjitha garat.