Arsyeja që Qeveria Kurti i shkarkoi sot dy drejtorët e Telekomit, lidhet me Avdullah Hotin

Qeveria në detyrë sot ka vendosur t’i shkarkojë nga Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës dy drejtorët e emëruar më 6 mars.

Luljeta Elezaj dhe Teki Shala janë shkarkuar, duke u zëvendësuar me Lule Ahmedin dhe Hekuran Nikçin, që u emëruan si drejtorë të rinj të Bordit të Përkohshëm.

Siç duket, arsyeja e shkarkimit të Luljeta Elezajt dhe Teki Shalës është sepse ata ishin zgjedhur anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Telekomit të Kosovës me propozim të ish-zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti, të cilin kryeministri në detyrë, Albin Kurti e shkarkoi posa i prishi marrëdhëniet me LDK-në.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari e kishte konfirmuar në një intervistë në Interaktiv të KTV-së se dy drejtorët tashmë të shkarkuar ishin propozime të Hotit.

“Telekomi është çështje shumë serioze, ku deputetët e VV-së dhe LDK-së kanë sjellë një rezolutë për ndryshim dhe pres nga Bordi që të adresojë të gjitha të gjeturat dhe të sjellë propozimin e saj. Unë pres atë (të ketë shkarkime). Dy anëtarë janë të pavarur apolitikë, dhe dy të tjerë janë propozuar nga Avdullah Hoti”, kishte thënë Hajdari.

Të dy drejtorët që u shkarkuan në mbledhjen e sotme të qeverisë kishin refuzuar të votonin për shkarkimin e kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefit dhe drejtorit financiar, Armend Osajt.

Në vend të dy drejtorëve të shkarkuar, qeveria në detyrë i zëvendësoi me Lule Ahmedin dhe Hekuran Nikçin, që u emëruan si anëtarë të rinj të Bordit të Përkohshëm të Kosovës.