Asnjë vdekje për të gjashtën ditë me radhë në Kinë

Kina vazhdon ta mbajë numrin e vdekjeve të reja nga koronavirusi në zero për të gjashtën ditë me radhë, sipas të dhënave zyrtare.

Vendi ka raportuar 10 raste pozitive me Covid-19 ditën e kaluar që janë shumë më pak nga 30 sa ishin regjistruar një ditë më herët.

Numri i rasteve të importuara – udhëtarët që kthehen nga jashtë – ka rënë në gjashtë nga 23 sa ishte një ditë më parë, transmeton Klan Kosova.

Kina numëron rastet e pacientëve asimptomatikë në një shifër të veçantë që po ashtu është zvogëluar nga 42 sa ishte një ditë më parë në 27.

Të dhënat e koronavirusit në Kinë janë vështirë të verifikueshme dhe janë vënë në dyshim nga disa vëzhgues që sugjerojnë se Pekini po provojë t’i mbajë shifrat e ulëta për ta ruajtur narrativën se e ka virusin nën kontroll.