“Asnjo t’gjallë nuk e lshoj”/ Tmerrohet familja në Deçan, një person u shkon te dera me AK-47 dhe gjuan

Mëngjesi i së dielës ishte i tmerrshëm për një familje në Carrabreg të Epërm të Deçanit, ku pati të shtëna me armë e kërcënime. Gjithçka dyshohet se ndodhi te dera e një shtëpie, ku një 36-vjeçar kishte shkuar me kallashnikov, të cilin e shkrepi një herë. Motivet e rastit ende nuk dihen, teksa për ngjarjen është vënë në dijeni edhe Prokuroria.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari V.M., kishte shkuar te shtëpia e B.B., duke e kushtëzuar familjen se nëse nuk ia hapin derën “asnjë të gjallë nuk e lshoj”. Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, por që nuk dihet se çka i parapriu.

Përveç kanosjes serioze, i dyshuari ka shtënë një herë me armë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Të frikësuar për atë që ndodhi, familja është detyruar ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitë relevante kanë kryer bastisje dhe kanë gjetur prova që ndërlidhen me rastin.

I dyshuari tashmë është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dhe do të hetohet për dy vepra penale “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.