Kurti në Munich takon “satelitin” e Putinit: Diskutojnë për bashkëpunim ekonomik

Kryeministri Kurti në Konferencës e Sigurisë në Mynih, është takuar me Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.
Kurti e falënderoi kryeministrin armen ndaj qëndrimit të shtetit armen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan lajmi.net.

Ndërsa Pashinyan shprehu gatishmërinë që Kosova dhe Armenia të hapin rrugët për bashkëpunim ekonomik dhe mundësitë e investimeve që ofron Kosova. Ndërsa Kurti veçoi sektorin e energjisë për investime.

Dy palët u pajtuan se kanë interesim dhe gatishmëri të dyanshme për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit.

Njoftimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, zhvilluan sot takimin e parë bilateral mes tyre.

Në fillim të bisedës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj qëndrimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës. Ai tha se Republika e Kosovës i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Evropës dhe se krahas kësaj organizate, synon anëtarësimin edhe në NATO.

Kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave, shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime. Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë.

Interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit. /Lajmi.net/