Asociacioni i Komunave kundër faljes së 100 eurove: Qeveria t`ua fal nga buxheti i vet nëse do

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka insistuar që komunat t’i respektojnë afatet për heqjen e 100 eurove nga tatimi në pronë për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se komunat kanë afat deri me 16 shtator që të ndërmarrin veprime për zbatimin e Ligjit.

Me këtë s`po pajtohen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Ligji i amandamentuar për tatimin konsiderojmë që është hartuar dhe miratuar në mënyrë arbitrare nga qeveria dhe parlamenti. Qeveria dhe Ministria e kanë hartuar këtë ligj me një grup teknik, pa u konsultuar fare me komunat”, u shpreh drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Sipas tij nëse Qeveria don ta fal tatimin prej 100 euro le ta bëjë këtë me paratë e veta.

“Nëse qeveria e falë tatimin, le ta bon prej buxhetit të vet, jo me ja ndal komunave parët sepse kjo shkakton mosrealizim të shumë projekteve kapitale të komunave”.

Ibrahimi thotë se do t`i drejtohen Kushtetueses.

“Kuvendi i Asociacionit ka vendos që përgjegjësinë ta bartë te bordi i Asociacionit sa i përket ligjit për tatimin në pronë. Në takimet që i kemi pasë si bord, kemi konstatuar që ka shkelje të Kushtetutës të Kosovës”.