ATK-ja ua konfiskon 500 mijë euro pasuri gjashtë tatimpaguesve borxhlinj

Administrata Tatimore e Kosovës edhe gjatë kësaj jave ka zhvilluar aksion në disa lokacione të ndryshme për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve të cilët nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore të ATK-së në pagesën e borxheve në afatin e përcaktuar, si dhe nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve se do të ndërmerren veprimet e mbledhjes së detyrueshme të tatimeve përmes konfiskimit të pasurisë.

Sipas ATK-së, procedura e konfiskimit, në bashkëpunim me Policin e Kosovës, është zhvilluar ndaj gjashtë tatimpaguesve sipas planit paraprak, ndërsa vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 500,000 euro.

ATK, përmes një komunikate për media, thotë se si rezultat i shumë aktiviteteve intensive që ky institucion është duke i ndërmarrë, është shënuar trend pozitiv i zvogëlimit të borxheve, të cilat kanë reflektuar në rritjen e të hyrave për ATK-në.

“Përveç konfiskimit të pasurisë, aksioni në fjalë do të shtrihet edhe në mbledhjen e të gjitha gjobave mandatore, të cilat janë të papaguara”, ka thënë ATK.

Më tej thuhet se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, andaj kanë inkurajuar të gjithë tatimpaguesit borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme.

“Fokusi ynë vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore”, ka thënë ATK-ja në këtë komunikatë.