Aurora Bakalli, në garë për deputete me numrin 39

Aurora Bakalli ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës gjatë mandatit 2010-2014 nga Lëvizja për Bashkim. Ajo së bashku me ish-deputetin tjetër, Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim ishin të angazhuar në bërjen e ligjeve sa më të mira.

Jashtë agjendës së paraparë legjislative, ata u angazhuan në: inicimin e heqjes së kodit telefonik të Serbisë dhe hartimin e inicimin e “Ligjit për Obiliqin”. Si rezultat i kësaj, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për zëvendësimin e këtij kodi me atë të Republikës së Shqipërisë, deri në krijimin e rrethanave që Kosova ta ketë kodin e vet; ndërsa, miratimi i “Ligjit për Obiliqin”, projekt të cilin e vazhdoi edhe deputeti Raif Qela, ka bërë që Komuna e Obiliqit sot të përfitojë mbi 4 milionë euro shtesë në vit, të hyra të cilat do të duhej të orientoheshin në përmirësimin e kushteve për jetë në komunën më të ndotur në Kosovë.

Prof. Ass. Dr. Aurora Bakalli është e specializuar në lëmine e Kardiologjisë. Përveç misionit human si interniste-kardiologe, jep kontribut të vazhdueshëm edhe në aspektin shkencor. Ka të publikuara rreth 30 punime në revista shkencore të njohura ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Aurora është një grua e dinjitetshme dhe e pakompromis në mbrojtjen e të drejtave të veta dhe të të tjerëve. Me punën e saj të pandalshme, ajo ka bërë që pavarësisht barrierave të ndryshme, si gjinore ashtu edhe të tjera, të korrë suksese dhe të bëhet model i gruas për të cilën ka nevojë shoqëria jonë.

Aurora është vajza e mjekut të njohur të Ortopedisë, Bedri Bakalli.