Avokati i Popullit: Ende jemi duke e shqyrtuar Ligjin për Paga

Instituti i Kosovës për Drejtësi me 6 janar ka deponuar tek Avokati i Popullit kërkesë për fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Përmes kësaj kërkese, IKD ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, ta procedojë këtë ligj në Sektorin Publik për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

I kontaktuar nga Front Online Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se kjo kërkesë ende është në shqyrtim.

“Jo ende jemi në shqyrtim”, tha shkurt Qelaj për Front Online.

IKD më 22 dhjetor 2022 ka publikuar analizën “Pagat në Sektorin Publik”. Në këtë analizë, gjetjet e IKD tregojnë për probleme serioze kushtetuese të, tanimë Ligjit NR. 08/L-196 për Paga në Sektorin Publik.

IKD ka gjetur se Ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve. Sa i përket uljes së pagave, Ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave.

Por, IKD ka gjetur se Ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi Ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht nga ky Ligj.