Avokati i Veselit: Dosja gjyqësore është dy herë më e madhe se ajo ndaj Millosheviqit

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emerson, deklaroi se dosja gjyqësore e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara është dy herë më e madhe se ajo në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit.

Ai kërkoi që të mos ketë vonesa të afateve gjyqësore dhe pyeti se sa kohë do të duhet për të filluar dhe përfunduar ky gjyq, përfundimisht, meqë prokuroria pohoi që ka nevojë për 300 dëshmitarë dhe se kjo periudhë do të kërkojë tre vjet gjyq, e që sipas tij, e gjithë kjo është krejt në shproporcion, krahasuar me gjyqin kundër Millosheviqit.

“Është dy herë më e gjatë sesa dosja paragjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, i cili kishte të bënte me konfliktet në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, gjatë një periudhe 10-vjeçare. Dhe është tri herë më e gjatë se dosja paragjyqësore në çështjen për gjenocid kundër Karaxhiqit për masakrën e Srebrenicës dhe një numër të krimeve kundër njerëzimit, të bëra kundër popullatës myslimane në Bosnje”, u shpreh ai.