Bajrami i reagon Muratit: Veç për Kuvend mos flisni, i kemi të freskëta pamjet si bllokohet Kuvendi

Pas kërkesës së ministrit të Financave, Hekuran Murati që marrëveshjet ndërkombëtare të mos bllokohen nga opozita, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se pamjet se si bllokohet Kuvendi i kanë akoma të freskëta.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Bajrami ia ka kujtuar Muratit sjelljen e tyre si opozitë.

“Veç për Kuvend mos flisni, se ende i kemi të freskëta pamjet si bllokohet Kuvendi. Të gjithë e dimë si jeni sjellë ju në Kuvend, kur ishit në opozitë. Gjurmët e dhunës janë në çdo cep të Kuvendit, ato tregojnë historinë se si arritët ju deri këtu ku jeni sot: me propagandë, dhunë e premtime që kurrë nuk i realizuat”, ka shkruar Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se i ka “dy pyetje për ministrin e ankesave”.

“1.  Pse i ke blloku 37.5 milionë euro mjete vetanake të komunave/qindra projekte kapitale? 2. Si ka mundësi opozita me blloku Kuvendin kur ju me minoritete i keni 65 deputetë?”.

Bajrami theksoi se opozita për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e ka vetëm një kërkesë.

“Ndërsa, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend opozita ka vetëm një kusht: zhbllokimi i 37.5 milionë eurove, mjete vetanake këto të komunave, të cilat po i mban të bllokuara ministri i ankesave”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfere Hekuran Murati, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka kërkuar nga opozita që të mos i bllokoj.

Kërkesën Murati e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka përmendur edhe dy nga marrëveshjet kryesore të cilat janë duke u bllokuar.

“Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita. Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare”.

“Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes”, tha Murati.

“Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MË gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër”.

Ministri tutje ka sqaruar se në përgjithësi projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, ndërsa ka theksuar se shumicën e financimit si Qeveri e kanë siguruar të jetë grant nga BE-ja dhe Qeveria Gjermane.

Para dy jave në seancën e Kuvendit të Kosovës miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ishte bllokuar.

Kjo pasi pozita dhe opozita nuk kanë mundur të kuptohen për zhbllokimin e të hyrave vetanake të komunave.

Deputetët e opozitës kanë bërë me dije se nuk do të votojnë asnjë marrëveshja pa zhbllokimin e këtyre mjeteve, kurse Qeveria e ka fajësuar ligjin për bllokim të mjeteve.