Djaloshi 10 vjeç mundohet ta kalojë kufirin duke u fshehur në çantën me perime

I fshehur nën qeset me pemë dhe perime, ky djalosh i gjorë palestinez nuk e pati rrugën më të lehtë drejt një jete të re, të cilën synonte ta gjente në Evropë. Ai u gjet nga policia spanjolle, kur po mundohej të hynte ilegalisht nga territori i Marokut.

Ai u gjet i fshehur brenda një çante, kur policia e ndaloi për kontroll një çift maroken në pikëkalimin kufitar “Beni-Enzar”. Dy personat u arrestuan në njërën prej pikave të njohura për trafikimin e njerëzve.

Besohet se nëna e djaloshit e kishte paguar çiftin që ta dërgonin djalin e saj në Evropë përmes kësaj mënyre. Nuk dihet nëse fëmija e kishte dikë që ishte duke e pritur në anën tjetër të kufirit.

Shefi i policisë në Melilla të Spanjës tha se autoritetet vendosën ta kontrollojnë çantë në hollësi për shkak të peshës së pazakonshme për atë që kishte deklaruar nga çifti.

Melilla është përballur me shumë përpjekje të imigrantëve për kalimin ilegal të kufirit në enklavën spanjolle të Afrikës.

Shumë persona kanë humbur jetën duke u munduar të shkojnë në vendet evropiane përmes anijeve të vjetra dhe të strëngarkuara me njerëz, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.