Bajrami: Nuk do të ketë ndërhyrje politike në arsim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me Komisionin Evropian, kanë organizuar trajnim për zyrtarët qeveritarë dhe Pikave Kombëtare të Kontaktit për programin Kornizë të BE-së “Horizon 2020”.

Ministrja Hykmete Bajrami, tha se është me rëndësi me qenë pjesë e këtyre trajnimeve. Gjendja në arsim sipas saj nuk është e mirë, mirëpo garanton se nuk do të ketë ndërhyrje politike.

“Erdha të nderojë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE). Ne në vitin 2016/17 kemi bërë përpjekje në këto programe dhe programin ‘Horizon 2020’, e kemi zgjedhur si programin më të rëndësishëm. Pash se janë 19 projekte të organizuara nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Bajrami.

Më tutje, ajo ka shtuar se fëmijëve duhet t’i ofrohet një arsim cilësor dhe se do ta kthejnë arsimin aty ku e ka vendin.

Ndërsa, Berinhard Fabianek nga Drejtoria për Hulumtime dhe Inovacion në Komisionin Evropian, tha se Kosova është vend i vogël dhe ka nevojë për zhvillimi dhe strategji, prioritet është sektori i edukimit.

“Prioriteti më i madh i arsimit është sektori i edukimit. Statistikat e vitit të kaluar sa i përket implementimit të projektit kanë qenë fantastike”, tha Fabianek.

Stergious Tragoudas, nga zyra e BE-së, tha se Kosova duhet të investojë në kërkimet shkencore.

“Komisioni Evropian investon në aspektin e hulumtimit në Kosovë sepse duhet të jetë prioritet. Hulumtimi është prioritet për të ardhmen e Kosovës. Universiteti i Prishtinës duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe sferës së hulumtimit. Kosova ka më së shumti nevojë të investojë në kërkimet shkencore”, ka thënë Tragoudas./Gazeta Sinjali/