Bajrami qytetarëve: LVV-ja iu ka gënjyer për 15 vjet, po bën pesëfish më zi se qeveritë e kaluara

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, pas skandaleve të punësimeve në KEK dhe në SHKK.

Skandali me punësime në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka zënë vend edhe në Kuvendin e Kosovës, raporton Demokracia.com.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seancë plenare, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke ua bërë të ditur se për 15 vite sa Kurti ka qenë në opozitë ka kritikuar të gjitha partitë në pushtet, por tani që vetë erdhi në pozitë, po bënë pesëfish më zi.

“Me 14 shkurt të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 51 për qind të votave sepse 15 vjet në opozitë arriti t’i bindë më shumë se gjysmën e qytetarëve të vendit se në momentin që vijnë në qeveri do të bëjnë mrekullinë, do t’i ulin çmimet e produkteve bazë, energjia elektrike do të jetë më e lirë, mërgata jonë të kthehet për të punuar në Kosovë dhe mbi të gjitha do të luftohet nepotizmi. Të gjithëve na kujtohet videoja e famshme e kryeministrit të tanishëm në fushatën e fundit ku thoshte “Kusherit janë për dasma, nuk ka me shku në ministri me krejt kusherit”. Dhe në atë video dëgjohej qytetari duke i thanë, “t’lumtë goja”. Do me thanë qytetarët verbërisht i kanë besu zotit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke mëndu që njëmend meritokracia do të vije në vend dhe qytetarët e kualifikuar pa lidhje partie e familjare, do të mund të punësohen në konkurset e hapura. Nuk dola këto që të them se nuk ka pasur nepotizëm në të kaluarën, jam këtu që në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës t’ju them që Lëvizja Vetëvendosje ju ka mashtruar dhe po bën 5 fish secilën secilin veprim që e ka kritikuar për 15 vite sa ka qenë në opozitë. Ajo çka ndodhi në konkursin e KEK-ut është vazhdimësi e kapjes së shumë institucioneve nga ditët e para të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Bajrami.

Tutje ajo ka thënë se konkursi në KEK ishte hapur në muajin nëntor të vitit të kaluar, pikërisht në kohën kur po mbaheshin zgjedhjet lokale në raundin e dytë e që Lëvizja Vetëvendosje shkoi në balotazh në 12 komuna.

“KEK me datë 15 nëntor 2021 në periudhën e zgjedhjeve lokale në mes të dy raundeve kishte hapur konkurs për 150 vende të lira pune. Në atë kohë ne si parti në opozitë por edhe mediet a e shoqëria civile e kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje dhe ndërmarrjen publike që po hap konkurs për shkak të disfatës së thellë që kishte pësuar në raundin e parë të zgjedhjeve dhe për shkak se 12 komuna kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje ishin në balotazh”, deklaroi Bajrami.