Bandat e përkrahura nga Vuçiqi kanë qëllim eskalimin e situatës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, ka thënë se në ditët me vijim institucionet në Kosovë do të takohen për versionin e ri të planit franko-gjerman.

Ndërsa, ka thënë se shumë shpejt mund të caktohet takimi i radhës në Bruksel në mënyrë që të diskutohet ky plan.

Në konferencë Osmani ka folur edhe për shpërthimet e sotme në veri të vendit, duke thënë se pret një raport përfundimtar nga institucionet e vendit.

“Për fat të keq, sikurse edhe në shumë raste paraprake, situata në veri eskalon për një arsye te vetme, sepse bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiq politikisht dhe financiarisht kanë për qëllim eskalimim e situatës, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rrjedhimisht kanë për qëllim ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonit pavarësisht çfarë etnie. Është shumë me rëndësi që siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha në mënyrë që në çdo proces zgjedhor ata të mbrohen e mos të kërcënohen nga këto banda kriminale. Dhe tani po e presim në fund të ditës raportin përfundimtar”, ka thënë ajo.

Kurse, për verzionin e ri të planit franko-gjerman Osmani ka thënë se për të njëjtin nuk është diskutuar në takimet gjatë samitit në Tiranë.

“Ai version është dorëzuar sot siç e ka thënë zoti Borrell, megjithatë nuk është diskutuar përmbajtja e versionit të ri, në takime është diskutuar parimi si i tillë, fakti që kjo është një iniciativë e përkrahur nga Franca, nga Gjermania dhe shumë shtete të Bashkimit dhe do të theksoja në veçanti e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një nismë e re, e cila intensifikoi procesin e dialogut”, ka thënë presidentja Osmani.

Presidentja Osmani. ka theksuar se nuk ka kushte të reja në procesin e dialogut.

“Nuk ka kushte shtesë, Bashkimi Evropian është i përkushtuar që të vazhdojë dialogu për të diskutuar lidhur me dokumentin e propozuar si kornizë që po quhet plani franko-gjermani. Edhe pse nuk ka datë të takimit të ardhshëm, besoj që shumë shpejt mund të caktohet një i tillë, në mënyrë që ky propozim i ri që u dorëzua këto dite të mund të diskutohet në Bruksel. Sa i përket Kosovës, jemi të gatshëm në çfarëdo kohe të përgjigjemi si pala më konstruktive në këtë proces”, ka thënë Osmani.

Kurse, për  aplikimin për statusin e vendit kandidat, Osmani ka konfirmuar se do të dorëzojnë këtë muaj dhe ka shtuar se po punojnë me të gjitha shtetet për të marrë mbështetjen e tyre.

“Do të punojmë shumë me shtetet veç e veç, por ta kemi parasysh që duhet t’i menaxhojmë pritjet tona mos t’i rrisim jashtëzakonisht shumë, për shkak të situatës komplekse që ekziston brenda Bashkimit Evropian, por për shkak edhe të qëndrimeve që disa prej shteteve që i kanë, por me të cilat po punojmë shumë dhe për së afërmi dhe ka mesazhe inkurajuese, por nuk mund të flas në emër të tyre”, ka thënë Osmani./Fokusi.info/