Baneri “Liria ka Emër” në Graçanicë u dogj në orët e para të mëngjesit, policia flet për rastin

Policia e Kosovës ka folur për incidentin e djegies së banerit “Liria ka Emër” në Graçanicë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për lajmi.net ka thënë se informatën për djegien e banerit policia e ka marrë sot.

Sipas saj, policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe në bazë të informatave, dyshohet se akti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

“Sot kemi pranuar informatën lidhur me dëmtimin e një tabele reklamuese ( Billboard) që ka qenë e vendosur në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Aktualisht është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, ka thënë Ahmeti.

Detaje tjera ende nuk dihen teksa në vendin e ngjarjes janë parë forca të shtuara të policisë.