Banorët e Banjskës: “Jemi të tmerruar, të na tregojë dikush se çfarë ka ndodhur

Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në mesditën e së mërkurës.

Më 24 shtator, afër manastirit të Banjskës ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.

Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist.

Zveçani dhe tri komuna tjera në veri janë të banuara me shumicë serbe.

Në mesditën e së mërkurës, ekipi i REL-it ka vërejtur se fshati është i zbrazët dhe njerëzit kryesisht janë të mbyllur nëpër shtëpi.

Vetëm ekipe të gazetarëve dhe zyrtarët policorë shihen nëpër rrugë.

Rrugës për në fshat shihen vetëm pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Është arritur të flitet edhe me disa banorë.

Ata kanë shprehur frikë dhe kanë thënë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur.

“Jemi të tmerruar, kemi nevojë që dikush të na tregojë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë një banore e nacionalitetit serb në Banjskë.

Sipas saj, situata e së dielës ka qenë më e rëndë sesa e luftës.

“Në errësirën e parë kemi hyrë në shtëpi”, ka thënë ajo.