Bastisje e arrestime në të katër anët e Kosovës, këto janë armët që u konfiskuan(FOTO)

Policia e Kosovës ka kryer një aksion që çoi në konfiskim masiv të armëve të zjarrit. Për këtë aksion ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Renda. Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në disa lokacione në regjione të ndryshme në tërë Kosovën.

Në këtë aksion të policisë janë arrestuar 18 persona dhe konfiskuar 57 armë të llojeve të ndryshme me rreth 9 fishekë, e gjithashtu janë konfiskuar edhe 2 vetura.

“Janë sekuestruar deri më tani tridhjetë e shtatë (37) revole, tetë (8) armë gjuetie, tri (3) armë AK-47 , dy (2) armë gjysmë automatike, shtatë (7) armë të gjata, një (1) pushkë ajrore, tetëmbëdhjetë (18) karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve), një sasi e madhe e fishekëve, rreth nëntë mijë (9,000) copë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu, janë sekuestruar të holla rreth 10.000 € si dhe dy (2) vetura”, thekson raporti i Prokurorisë

“Personat me inicialet: A.F., P.F., M.F., M.SH., I.R., R.M., N.M., P.M., A.F., B.A., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J., S.K., F.U., ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se operacioni ende është duke vazhduar.