Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do ta bëjë Shqipërinë syrin e NATO-s në rajon

Në fillim të vitit të ardhshëm do të filloj ndërtimi i bazës së parë ajrore ushtarake të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, njofton agjencia e lajmeve INA.

Baza me fondet e NATO-s do të ndërtohet në Kuçovë të Shqipërisë. Restorimi i kësaj baze, në të cilën tani gjenden disa aeroplan të ndryshkur dhe të prishur sovjetik, do ta bëjë Shqipërinë syrin e NATO-s në rajon.

NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.

Me këtë projekt, i cili pritet të nisë punimet në fillim të vitit të ardhshmë, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbejë, njëkohësisht, edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjell një standart të ri për Forcat Shqiptare të Armatosura.

Ky lajm është konfirmuar kohë më parë edhe nga Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet, i cili ka deklaruar: “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”.

Financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s”.
Shqiptarët kudo dhe pa marrë parasyshë prirjet e tyre politike, duhet ta përshëndesin këtë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo. Lajm më të mirë për ne nuk ka pasur ç’prej antarësimit të Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

Janë disa gjëra që të gjithë shqiptarët duhet t’i përshendesin si ngjarje me rëndësi të interesit afatgjatë të kombit dhe të sigurisë së vendit. Vendimi i Aleancës Perëndimore të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, është një prej këtyre objektivave me rëndësi kombëtare, për të mos thënë historike.