BE deklarohet rreth paralajmërimeve për bashkim kombëtar

Bashkimi Kombëtar i Kosovës me Shqipërinë është një diskurs i cili është shpeshtuar mjaft kohëve të fundit. Më së shumti dikur përmendej nga lideri i VV-së, Albin Kurti, por që së fundmi atë po e paralajmëron edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që tani po kandidon për president. Në lidhje me këto deklarata për lajmi.net kanë folur nga BE.

Bashkimi Evropian po tregohet i rezervuar në komentet e tij për deklaratat e ardhura së fundmi nga politikanë eminentë në Kosovë për bashkimin kombëtar Kosovë-Shqipëri, në rast se autoritetet evropiane dhe Serbia nuk tregohen të gatshme për një marrëveshje me njohje reciproke, shkruan lajmi.net.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, nga Bashkimi Evropian thonë se “nuk komentojnë komentet”, mirëpo shton se liderët duhet të udhëheqin me shembull një klimë që shkon drejt promovimit të një fqinjësie të mirë në rajon.

“Ne nuk i komentojmë komentet. Duke folur në përgjithësi, udhëheqësit politikë në rajon duhet të udhëheqin me shembull promovimin e një klime të besimit të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal, parime dhe vlera të cilat BE-ja përfaqëson”, thotë për lajmi.net Peter Stano, zëdhënës për çështjet e jashtme dhe ato të sigurisë në BE.

Ai thotë se BE pret që të gjithë faktorët në rajon të jenë akterë të marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese, e që përqëndrohen në reforma për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian

“Bashkimi Evropian pret që të gjithë në rajon të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese dhe të përqendrohen dhe të intensifikojnë punën në programet e tyre përkatëse të reformave për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Kjo vlen edhe për Kosovën, e cila ka një perspektivë të qartë evropiane si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ne presim që institucionet e reja të punojnë në këtë drejtim”, thotë tutje Stano.

Sa i përket çështjes së dialogut, Stano shton se BE ka qenë shumë e qartë në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Borrell e Varhelyi.

Ai thotë se BE po e pret me padurim formimin e qeverisë së re për intensifikimin e angazhimeve për dialogun Kosovë-Serbi.

“BE ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët të lëshuar të hënën nga Borrell dhe Komisioneri Varhelyi, se ne po presim me padurim formimin e qeverisë së re dhe ndër të tjera gjithashtu presim që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me vazhdimin e takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE dhe shfrytëzimin e mundësisë që kanë para për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thotë Stano.

Ai në fund shton se BE do të punojë me të gjithë partnerët në rajon në mënyrë bilaterale në rrugën e tyre përkatëse evropiane.

Ndryshe, deklaratat për bashkimin kombëtar, kanë zënë më së shumti titujt e mediave kohëve të fundit.

Bashkimi kombëtar madje ishte kryefjalë e fushatës së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në njëfar forme paralajmëroi referendum nëse edhe për disa vite Kosova mbetet e izoluar dhe potencialisht nuk ka marrëveshje me Serbinë.

Në lidhje me këtë temë, së fundmi ka folur edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e mbajtura të dielën.

“Pprioritetet tona do të jenë drejtësia dhe punësimi ndërsa unë nuk ia mbyll derën në të ardhmen as intencës historike të kombit në njërën anë dhe as popullit si vullnet gjithnjë përbrenda kornizave paqësore e demokratike”, ka thënë Kurti.