BE: Lajçaku viziton Kosovën dhe Serbinë me kërkesë të Borrellit

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në ditën në vijim pritet ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

Këto vizita ai i zhvillon me kërkesë të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell.

Këtë për Front Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Stano tha se pasi raportoi para ministrave të jashtëm të shteteve anëtare, Borrell ka kërkuar nga emisari Lajçat që të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi në ditët në vijim për të diskutuar për rrugën përpara.

“Është një pjesë integrale e punës së një emisari të udhëtojë për të parë partnerët në terren. Emisari Lajçak është rregullisht në Beograd, Prishtinë, kryeqytetet e BE-së dhe vende të tjera, përfshirë jashtë BE-së, për të kryer punën e tij të përditshme për ta çuar përpara Dialogun”, thotë Stano për Front Online.

Lajçak pritet të takohet në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

BE-ja e ka hartuar një plan për shtensionimin e situatës në veri, në bazë të të cilit duhet mbajtur zgjedhje të reja atje dhe Kosova duhet të tërhiqet nga të gjitha veprimet e fundit dhe të kthehet në dialog. Planin trepikësh e mbështetë edhe SHBA-ja.

Ndonëse pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Kurti nuk pajtohet me kërkesat tjera të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës. Ai ua ka paraqitur ndërkombëtarëve kërkesat e veta. Por për shkak të kësaj sjelljeje, BE-ja i ka marrë tashmë disa masa ndëshkimore ndaj Kosovës.

Pas protestave të majit në veri të Kosovës të cilat rezultuan me lëndimin e 30 ushtarëve të KFOR-it, lëndimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, faktori ndërkombëtar vazhdimisht është duke bërë thirrje për qetësim të situatës.

Bashkimi Evropian në planin trepikësh ka kërkuar nga Qeveria Kurti që kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, t’i ushtrojnë funksionet e tyre jashtë hapësirave të ndërtesave komunale.

Ky bllok po ashtu ka kërkuar largimin e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës si dhe krijimin sa më të shpejtë të kushteve për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme për këto katër komuna.