BE ‘nuk lëshon pe’ për Kurtin, asnjë heqje sanksioni Kosovës pa zgjedhje të reja në veri

Unioni duket shumë larg heqjes e sanksioneve ndëshkuese që i ka vendosur Kosovës. Zëdhënësi i Bashkimit eEvropian, Piter Stano, në një konferencë për shtyp sqaroi se Blloku është duke pritur hapa të tjerë nga qeveria e udhëhequr nga albin kurti, teksa e cilësoi të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në veri.

Këta janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat.”, tha ai.

Zëdhënësi i BE-së përsëriti se nëse nuk ka përparim në dialog, nuk ka përparim në rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

“Urgjenca duhet parë në terren, urgjenca duhet parë nga populli dhe nga liderët e tyre politikë sepse çfarëdo që bëhet në kuadër të dialogut nuk bëhet më qëllim për të kënaqur Brukselin apo shtetet anëtare dhe kryeqytetet e tyre, apo partnerët ndërkombëtarë, por bëhet me qëllim për të përmirësuar jetën e njerëzve si në Kosovë ashtu dhe në Serbi, dhe e gjitha kjo ndërlidhet me atë se si shtetet po përparojnë në rrugën evropiane.”, deklaroi Stano.

Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.