Shkarkimi nga presidentja, Daka: Nesër do të dërgoj kërkesë te Avokati i Popullit

Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se nesër do të dërgojë një kërkesë te Avokati i Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja në mënyrë që ky institucion më pas të mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetues në emër të saj.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emër tim. Meqë deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka mendoj se është për të ardhur keq, sepse nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”.

“Deputetët si të zgjedhur të popullit kanë obligim që të mbrojnë organet e pavarura dhe për këtë e marrin edhe votën e qytetarëve. Nuk është në pyetje më Valdete Daka, por është në pyetje institucioni dhe mbrojtja e institucionit të pavarur, sepse është krijuar precedent. Ky precedent mund të jetë i rrezikshëm, sepse në të ardhmen mund të vijë një president tjetër dhe të thotë “Nuk po më pëlqen puna e X ose Y personit dhe po e shkarkoj” dhe për këtë duhet që Gjykata Kushtetuese ta japë mendimin e vet dhe të thotë se a ka të drejtë presidenti dhe nëse ka të drejtë në çfarë mënyre. Le të zgjidhet kjo dilemë dhe këtu nuk duhet të ndihet askush i kërcënuar apo i ofenduar, është thjesht çështje kushtetuese”, ka thënë ajo në Rubikon të Klan Kosovës.