BE qartëson qëndrimin për “Ballkanin e Hapur”: Kërkon përfshirjen e të gjitha shteteve të rajonit

Dje në Beograd të Serbisë ka nisur takimi mes liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për “Open Balkans”, që është iniciativa e themelimit të një tregu të përbashkët rajonal.

Edhe pse Republika e Kosovës ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj nisme, Bashkimi Evropian ka përkrahur plotësisht themelimin e një tregu të përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Bashkimi Evropian kanë thënë se e mirëpresin angazhimin e liderëve të rajonit për bashkëpunim, pasi që ky është një element të perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe është pjesë integruese e procesit të Stabilizim-Asociimit.

Nga BE-ja kanë thënë se një proces i tillë që do të përfshinte të gjithë rajonin është esencial.

“Ne e kuptojmë dëshirën për të lëvizur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që do të përfshinte gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është esencial. Në këtë kontekst, është i rëndësishëm avancimi i regjionit për themelimin e një tregu të përbashkët rajonal, angazhim politik ky që u inicua nga gjashtë liderët e regjionit në Samitin e Sofjes në vjeshtën e vitit të kaluar”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja ka theksuar se ju takon shteteve të rajonit që të përdorin mundësitë e investimeve që ju ka ofruar Bashkimi Evropian.

“Ne jemi duke sjellur mundësi për investime domethënëse në regjion përmes Planit Ekonomik dhe të Investimit. Tani i takon rajonit që t’i përdorë këto mundësi mirë duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë ekonomik dhe duke krijuar një treg të përbashkën rajonal bazuar në rregullat e Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Edhe pse BE-ja e ka shprehur për të disatën herë përkrahjen ndaj “Open Balkans”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër ka kundërshtuar të bëhet pjesë e këtij procesi duke thënë se iniciativat ku nuk është e përfshirë BE-ja nuk janë të sigurta, të qëndrueshme e as të dobishme.

“Nuk e kemi konsideruar këtë temë. Ne besojmë në Procesin e Berlinit dhe në tregun e përbashkët rajonal që është pjesë e Procesit të Berlinit. Mendojmë se iniciativa të cilat nuk e kanë Bashkimin Evropian brenda, nuk mund të jenë të sigurta, të qëndrueshme dhe të dobishme. Prandaj, më shumë e theksojmë nevojën e bashkëpunimit bilateral brenda procesit të Berlinit. Në anën tjetër edhe si orientim politik, edhe si ndjeshmëri kulturore, unë nuk ju përkas atyre politikanëve të cilët besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit”, theksoi kryeministri Kurti para medieve në Shkup në tetor të këtij viti.

Iniciativën “Open Balkans” e ka përkrahur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila në një formë ka thënë se inkurajojnë liderën rajonal që të kërkojnë mundësi për të reduktuar barrierat tregtare.

“Ne inkurajojmë liderët rajonalë të kërkojnë mundësi për të reduktuar barrierat tregtare, për të rritur konkurrencën ekonomike dhe për të ndërtuar ekonomi të integruara rajonale dhe elastike që ofrojnë për qytetarët e tyre”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për lajmi.net.